Kompania më fitimprurëse në botë ka një strukturë të re sekrete që i mundëson të vazhdojë të shmangë miliarda dollarë në taksa.
Dokumentet e skandalit “Paradise Papers”, shumica e të cilave ende nuk janë shqyrtuar, tregojnë se si Apple shmangu operacionin e vitit 2013 ndaj praktikave të saj të dyshimta të taksave në Irlandë, duke kërkuar një parajsë fiskale.
BBC, një nga mediat që po shqyrton mes miliona dokumenteve të “Paradise Papers” thonë se Apple transferoi shumicën e parave të saj të pataksuara që mban jashtë vendit dhe që llogariten në 252 miliard dollarë, në ishullin autonom të Xhersit në kanalin britanik.
Dokumentet tregojnë se Apple, deri në vitin 2014, kishte shfrytëzuar një boshllëk në ligjet e taksave në SHBA dhe Irlandë. Kjo i mundësoi kompanisë që të kanalizonte të gjitha shitjet jashtë Amerikës, aktualisht 55% e të ardhurave, përmes filialeve të saj në Irlandë që nuk i përkasin asnjë vendi nga pikëpamja e taksave, duke mos paguar thuajse asgjë.
Në vend që të paguante taksën prej 12,5% në Irlandë dhe 35% në SHBA, struktura sekrete e krijuar nga Apple ndihmoi që të reduktonte tatimfitimin për shitjet jashtë SHBA në 5% të totalit, që në disa vite u ul edhe nën 2%.
Vetë komisioni evropian llogariti se në një prej këtyre viteve, tatim fitimi për kompanitë e Apple në Irlandë ishte vetëm 0.005%. Apple i ka kundërshtuar këto pretendimet dhe thotë se struktura e re nuk ka ulur taksat që kompania paguan dhe se Appel mbetet taksapaguesi më i madh në botë.
Ekspertët ndërkohë thonë se ndërsa evazioni fiskal është krim, shmangia e taksave përmes mjeteve ligjore dhe parajsave fiskale është e ligjshme dhe i takon politikbërësve që të mbyllin boshllëqet në ligje.
Top Channel