Mes një atmosfere fantastike në shkallët e stadiumit, Interi i Spallettin nuk ka shkuar më shumë se një barazim 1-1. Zikaltrit kërkuan deri në fund fitoren, por fati dhe traversa u dolën sërish kundër.

Pjesa e parë u zhvillua e qetë, me Interin që tentoi të marrë nën kontroll lojën, por Torino ishte e vendosur mjaft mirë në mbrojtje. Në minutën e 56’, skuadra e Mihajloviçit gjen avantazhin, pas një aksioni personal të Iago Falque-s, që dërgoi topin në cepin e majtë të Handanoviç.

Spalletti nuk pajtohet me rezultatin dhe përforcon sulmin, me futjen e Ederit dhe Brozoviçit, ndërsa është pikërisht sulmuesi i kombëtares italiane që baraspeshon shifrat në minutën e 79’.

Të shtyrë edhe nga mbështetja e publikut, futbollistët e Interit hidhen në sulm, në kërkim të golit të 2-të, por këtë herë është traversa e portës së Sirigut që ndal një supergoditje të Vecinos.

Pas vërshëllimës së 3-fishtë, Inter dhe Torino, ndajnë nga 1 pikë, me zikaltrit që vijojnë të qëndrojnë në vendin e dytë, por vetëm përkohësisht.

Top Channel