Në konferencën për shtyp të Skënderbeut në Beograd, ra në sy, veç të tjerave, edhe një shqipe e kulluar e përkthyesit në krah të trajnerit shqiptar.
Ai quhet Filip dhe është nga të paktët serbë që ka ngulmuar për të studiuar gjuhën tonë.
“Kam dëgjuar një këngë në Youtube dhe thjesht më pëlqeu gjuha. Më pas, vazhdova të dëgjoja këngë të tjera dhe zbulova bukurinë e gjuhës shqipe. Krejt rastësisht, zbulova që kishte katedër të gjuhës shqipe në Beograd. Vendosa të regjistrohem aty. Kam studiuar në Beograd gjuhë dhe letërsi shqipe dhe më pas u regjistrova për master në Tiranë. Masterin e kam përfunduar për gjuhësinë e sotme të shqipes. Në fillim ishte e çuditshme, pasi të gjithë më pyesnin pse zgjodha shqipen, por u mësova me këto pyetje”, shpjegon Filip Vukodinoviç.
Përkthyesi zyrtar i Skënderbeut këto ditë ka lindur në Sarajevë, por u largua prej luftës, duke u rritur në Beograd. Jeta më pas e çoi në 3 vitet e fundit në Tiranë.
Filipi e ka të vështirë të vendosë se me kë do të jetë tifoz të enjten, me Skënderbeun apo me Partizanin.
“Emocionet i kam të përziera. As vetë nuk e di se si ndihem, pasi kam pak kohë që jam kthyer nga Shqipëria dhe gjysma ime është në Tiranë”, thotë Filipi.
Top Channel