“Katalonja”, ekspertët: BE të mos mbajë vetëm krahun e Madridit

29/10/2017 11:18

Qeveria spanjolle thotë se udhëheqësi i shkarkuar katalanas, Carles Puigdemont është i mirëpritur të marrë pjesë në zgjedhjet e reja rajonale.

Madridi zyrtar urdhëroi që votimet për Parlamentin e ri të Katalonjës të zhvillohen në muajin dhjetor.

Ai e zhveshi rajonin e pasur nga autonomia që gëzoi deri tani, një masë drastike kjo e marrë në vazhdën e vendimit të Asamblesë katalanase për shpalljen e pavarësisë.

Ekzekutivi spanjoll vendosi që drejtimin e Katalonjës ta marrë zëvendëskryeministrja, Soraya Saenz de Santamaria, por Puigdemont mbetet sfidues ndaj pushtetit qendror e bëri thirrje për “rezistencë paqësore”.

Ekspertët mendojnë se BE-ja nuk duhet të anojë vetëm nga Madridi zyrtar, por t’u bëjë apel të dyja palëve që të përpiqen ta zgjidhin ngërçin e krijuar.

“Mendoj se është e një rëndësie kyçe, që Madridi të mos tregohet shumë i ashpër me katalanasit. E dini, nëse ai përdor dorë të rëndë, fut njerëz në burg e gjëra të tilla, kjo mund të ketë efektin e kundërt e ta shtojë mbështetjen për separatistët. Dialogu në këtë rast është thelbësor. Jam e vetëdijshme se Bashkimi Europian po bën shumë pas kuintave, por ai nuk duhet të qëndrojë vetëm në krah të Madridit. Duhet t’u kërkojë të gjithëve të ulen e të bisedojnë me njëri-tjetrin”, tha Federiga Bindi nga Universtiteti “Johns Hopkins”.

Rezoluta e mëvetësisë në Parlamentin katalanas iu dha fund pasigurive që mbizotëruan në vazhdën e referendumit të 1 tetorit, gjatë të cilit 90% e votave ishin në favor të shkëputjes, ndërsa pjesëmarrja e votuesve u llogarit nën nivelin 50%.

Puigdemont mund të përballet me 25 vite burgim. Qeveria qendrore ka burgosur tashmë dy udhëheqës separatistë dhe Prokuroria po heton zyrtarë të tjerë për shpërdorimin e fondeve publike në mbështetje të kërkesës për pavarësi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA