Ai është shërbimi më i ri i gjigantit të kërkimit në internet dhe premton t’i lehtësojë ndjeshëm blerjet “online”.

“Paguaj me Google” do të mund të përdoret shumë shpejt. Mjafton një klikim, pa vendosur emrin, mbiemrin apo numrin e kartës së kreditit, e në pak sekonda problemi zgjidhet.

Google e kishte njoftuar që në muajin maj, gjatë konferencës “I/O Developer”, synimin e tij për t’i dhënë një hov të ri të ashtuquajturit “E-Commerce”, sidomos në “smartphone” dhe “tablet”, duke shfrytëzuar bazën gjigante të të dhënave nga “Google Play”, Youtube, Chrome, si dhe për ata që përdorin sistemin operativ “Android Pay”.

Pikërisht nga llogaria personale, sistemi lidhet me kartën e kreditit apo bankomatin, që përdoruesit i kanë regjistruar tashmë, për t’u lejuar atyre blerjen “online”. Në momentin e “check out”-it, kur shtyp “Pay with Google” shfaqet lista e kartave të regjistruara në llogarinë e “Google”-it.

Për ta mbyllur pagesën mjafton të përzgjidhet një prej tyre dhe sistemi i dërgon furnizuesit të produktit informacionin, bashkë me adresën ku do të dërgohet pakoja. Kompania ka vulosur marrëveshje me dhjetëra shërbime pagesash, përfshirë “PayPal”.

Përpara kësaj ishte “Android Pay”, sistemi i pagesës për aparatet Android. Karta e kreditit regjistrohej në llogarinë personale dhe pagesa kryhej nga “smartphone”, falë teknologjise “NFC” (Near Field Communication). Samsungu ka njoftuar ndërkohë se, nga viti i ardhshëm, shërbimi i tij i pagesave “të lëvizshme”, i pranishëm në 17 shtete, do të zbarkojë edhe në Itali.

Top Channel