Një vit pas shkatërrimit të kampit famëkeq të Kalèsë (Calais) në Francë, gjërat sipas banorëve atje kanë shkuar gjithmonë e më keq.
Shumë prisnin ndryshime drastike dhe mendonin se zona do të pastrohej përfundimisht nga emigrantët, pasi zyrtarët francezë dukeshin të vendosur t’i sistemonin të ardhurit në qendra të vogla pritjeje, anembanë vendit.
Por ndërsa një kamp i ri nuk është krijuar ende, refugjatët flenë në rajonet pyjore përreth kësaj zone industriale, ushqimin e sigurojnë falë akteve të bamirësisë dhe për dushe kanë rubinetat e ujit të pijshëm.
“Do të thoja se për ne, gjërat sot janë më keq sesa përpara. Emigrantët tani i gjen të vendosur gjatë të gjithë ditës dhe natës në zonën ‘Marcel Doret’. Ata janë të vështirë për t’u vënë nën kontroll, sepse lëvizin vetëm në grupe prej 4 apo 5 personash”, tha Jean-Pierre Devigne, drejtor i “RDV Transport”.
Pakënaqësi ka edhe në anën tjetër. 16-vjeçari afgan, Said thotë për “Reuters” se policia i largon vazhdimisht, e ndonjëherë edhe i godet.
“Është problem për ne, sepse policët vijnë këtu përnatë, rrahin e torturojnë njerëzit. Është e pamundur të qëndrosh këtu. Na hedhin spraj në fytyrë ose në sy”, tha Said, emigrant afgan.
Organizatat jofitimprurëse e kanë ngritur shpeshherë zërin, duke kritikuar kushtet e vështira në të cilat jetojnë emigrantët. Ndërsa drejtuesit e kompanisë së transportit “RDV” thonë se, premtimet e qeverisë së ish-presidentit Francois Hollande për pastrimin e Kalèsë nuk u përmbushën kurrë dhe të ardhurit sërish tentojnë kalimin në Britani me kamionët e tyre.
Top Channel