F1, titulli i Hamilton formalitet. Vettel përpiqet t’ia shtyjë (Notat)

23/10/2017 13:43

Hamilton është shumë pranë titullit kampion për pilotë në Formulën 1, teksa pas Çmimit të Madh të Shteteve të Bashkuara e ka fatin në duart e tij për ta vulosur në garën e ardhshme në Meksikë.

Por gara në Austin të Teksasit, e dominuar prej tij që nga provat e lira dhe ato zyrtare, për ta mbyllur me ngjitjen në majën më të lartë të podiumit, nuk pati vetëm britanikun si protagonist. Ranë në sy Max Verstappen, i cili nga vendi i 16 u ngjit në podium, por kjo e drejtë iu mohua pas penalizimit, por edhe Vettel me grintën e tij në nisje, sikurse edhe Bottas që u duk se nuk u përpoq fare në këtë garë.

Por cilat janë notat vlerësuese për pilotët pas këtij Çmimi të Madh amerikan?

Hamilton 9 – Më i miri, jo perfekt, por gjithmonë gjakftohtë. Humbet sekonda në nisje, parakalohet nga Vettel, por më pas rimerr pozicionin falë një Mercedesi të shkëlqyer. E habitshme lehtësia me të cilën rikuperoi vendin e humbur ndaj gjermanit të Ferrarit pas ndalesës së parë në “pit stop”. Gjithsesi, dje britaniku 3 herë kampion bote nuk ishte perfekt, edhe pse ruajti gjakftohtësinë siç ka bërë edhe në momente të tjera kyç të këtij Botërori. Jo më kot është “mbreti” në fuqi i “pole position”-it, një pilot i maturuar dhe tepër i qetë, e tashmë në prag të titullit që mbetet thjesht një formalitet.

Vettel 8 – E nis si të ishte një “raketë” e NASA-s, por nuk mundet t’i bëjë ballë deri në fund “shigjetës së argjendtë” të drejtuar nga Hamilton. Bëri të pamundurën edhe falë strategjisë së skuadrës, por nuk është se e humbi pikërisht garën e djeshme titullin. Vuan gabimet e garave të mëparshme.

Ricciardo 8 – Këtë herë e tradhtoi motori Renault, por deri në momentin që ishte në pistë ishte një “luan” i vërtetë. Për t’u veçuar dy parakalimet e jashtëzakonshme ndaj Bottasit.

Verstappen 8 – Holandezi pati një nga garat më të bukura të karrierës së tij që sapo ka nisur të shkëlqejë. Një përmbysje e madhe, nga vendi i 16 në të tretin (katërtin pas penalizimit), një mënyrë mëse e pëlqyeshme për të festuar rinovimin me Red Bull. Bëri një parakalim për t’u pasur zili ndaj Raikkonen, por FIA i hoqi vendin e fundit të podiumit.

Bottas 6.5 – Një duel në fillim me Ricciardon, i vetmi për t’u veçuar, pasi në fund i hapi krahun si Raikkonenit, Vettelit, edhe Verstappenit, për shkak të menaxhimit jo të mirë të gomave. Shumë pak prej finlandezit, duke ditur pritshmëritë ndaj tij.

Raikkonen 7.5 – U tregua disi i tërhequr në dyluftimin me Ricciardon, por ishte shumë herë më i vendosur kur parakaloi Bottasin. Ndihmoi Vettelin si një shok besnik në skuadër. Podiumin mund ta gëzojë, por ishte një podium i dhënë në tavolinë, pasi në pistë tregoi se e humbi.

Alonso 7.5 – Historia e motorëve Honda është e ditur, nuk të bën më përshtypje. Edhe pse ishte hero në provat zyrtare për “pole position”, në garë nuk i mbetet gjë tjetër veçse të dalë nga njëvendëshja, të vendosë timonin, e të përshkojë disa km në këmbë.

Kvyat 6.5 – Drejtuesit e skuderisë e lanë jashtë për dy gara në favor të Gaslyt, por ai rikthehet me Toro Rosson në një mënyrë më të vendosur sesa më parë. Merr disa pikë që i vlejnë shumë për të ardhmen.

Stroll 5 – Ishte një fundjavë e tëra për t’u harruar për kanadezin, por kjo edhe për shkak të një penalizimi që i ishte dhënë në provat zyrtare.

Magnussen 4 – Është i rëndë epiteti i vendosur atij, por “kamikaz” do të ishte më i përshtatshmi, pasi nuk mund të gjehet një tjetër. Që në fillim nxori jashtë gare Wehrlein, më pas shkakton një tjetër incident me Ericsson, pas të cilit mori edhe penalitet.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA