Për të zbuluar limitet e Ferrarit në kampionatin aktual të Formulës 1 shërbeu gara në Austin në Teksasit, një pistë e favorshme gjykuar nga karakteristikat e “kokëkuqes”, por që në pistë nxori sërish fitues një Mercedes.
Veç nisjes elektrizuese të Sebastian Vettel, një gjest i cili u neutralizua pak kilometra më vonë nga Lewis Hamilton, Mercedesi tregoi superioritet ndaj të gjitha skuadrave të tjera, përfshi atë italiane.
Lewis Hamilton garoi me grintën e duhur, duke vënë firmën në trofeun e radhës, e duke u konfirmuar si interpretuesi më i mirë i pistës teksane. Vettel nga ana e tij e shtrydhi në maksimum Ferrarin, duke ekspozuar edhe limitet e makinës, thuajse në të njëjtin nivel me Red Bull, duke parë edhe shpejtësinë e Verstappenit.
Duke lënë mënjanë gabimet në strategji dhe në besueshmërinë e makinës, pika e kthesës sezonale ishte gara e Monzës në Itali. Dështimi në ndalesën e shtëpisë i detyroi drejtuesit e Ferrarit të spostojnë limitet, duke vendosur presion te pilotët dhe stafi, diçka që nuk solli asgjë të mirë.
Nga sforcimi i Maranellos përfituan drejtpërdrejt rivalët. Mercedesi fitoi tashmë titullin për konstruktorë, ndërsa Hamilton pret ta bëjë këtë në garën e Meksikës. Britaniku u rendit në shkallën më të lartë të podiumit për herë të pestë në 6 garat e fundit, e tani pret i qetë javën e ardhshme. Në garën e Meksikës, Hamiltonit do t’i mjaftojë të renditet në 5 pozicionet e para.
Top Channel