Në paqe përplasja për titullin, Napoli-Inter në barazim

22/10/2017 00:33

Napoli nuk e lëshoi kryesimin e Serie A këtë fundjavë pas barazimit 0-0 ndaj Interit, kërcënimi kryesor i jugorëve aktualisht për titullin.

Skuadra e trajnerit Sarri u ndal në stadiumin “San Paolo” edhe pse kishte më shumë raste shënimi se zikaltërit.

Pjesa e parë pati një ritëm të jashtëzakonshëm, me Napolin që kërkonte të kontrollonte lojën dhe zikaltrit që zbrisnin shpejt në kundërsulm. Mundësinë më të mirë e pati Mertens për Napolin, ndërsa për zikaltrit, Borja Valero, por në të dyja rastet reaguan mjaft mirë portierët respektivë.

Edhe pjesa e dytë pati të njëjtën tablo, por këtë herë skuadrat ishin më të kujdesshme në prapavijë, sepse frika nga humbja ishte më e madhe se dëshira për fitore. Rastin më të mirë në këtë pjesë e pati sërish holandezi Mertens, por Handanoviç bëri mrekullinë edhe një herë, duke ruajtur të pandryshuara shifrat.

Handanovic u bë disa herë shpëtimtar i portës së miqve ndërsa edhe në skajin tjetër, Ikardi kishte në këmbë rastin që mund ti sillte Interit 3 pikët.

Megjithatë në fund dy ekipet ndanë nga një pikë duke vazhduar të ruajnë vendet e tyre në renditje, por me nga një pikë më tepër, konkretisht 25 për napolitanët dhe 23 për zikaltrit. Juventus dhe Lazio plotësojnë 4-shen e parë të renditjes, me nga 19 pikë secila.

Top Channel