Shqiptari muskuloz hero në Londër

20/10/2017 17:06

Një 21-vjeçar me origjinë nga Shqipëria ka kryer një akt të lartë trimërie dhe heroizmi në Londër, duke shpëtuar nga kthetrat e vdekjes një 20-vjeçare angleze, e cila kishte rënë në lumë dhe ishte duke u mbytur.

Genci Gestila, i cili ishte duke pirë një birrë me miqtë e tij në një klub pranë urës në perëndim të Londrës shkon me vrap në vendngjarje, kur pa anglezen që ra në lumë, e më tej zhvishet dhe hidhet në ujërat e akullta të Tamizit, duke e nxjerrë nga kthetrat e vdekjes anglezen e rrezikuar.

I përshkruar me një trup muskuloz, njësoj si akori britanik Daniel Craig në fimat e James Bondit, Genci Gestila, i cili ka jetuar në Greqi ku ka shërbyer edhe në ushtrinë greke për 9 muaj në Spartë dhe ishullin e Samosit, tha për “Daily Mail” se “ishte stërvitur për situata të tilla, duke u zhytur nëpër liqene të ngrira”.

“Unë nuk mendova sesi do të ndikonte uji i ftohtë te mua, por thjesht doja të shpëtoja vajzën”, tha shqiptari.

Një amerikan dëshmitar okular, që vizonte Londrën i ardhur nga Nju Jorku, 52-vjeçari Phil Hardy tha se “ishte një momet dramatik dhe djaloshi 21-vjeçar tregoi një trimëri të pashembullt”.

Policët e ardhur në vendngjarje e cilësuan shqiptarin Genci Gestila “hero”. Pasi iu dha një filxhan çaji i ngrohtë nga pronari i klubit, shqiptari me rrobat e bëra qull mori autobusin për të shkuar në shtëpi, jo larg nga vendi i ngjarjes, duke u shprehur se “shpresonte që vajza të mos kishte më probleme”.

Anglezja ndodhet në spital jashtë rrezikut. Kjo është hera e dytë brenda disa muajsh, që shqiptarët bëhen protagonistë për të shpëtuar jetë njerëzore në Londër, duke u pasqyruar në median britanike, siç ishte rasti i disa shqiptarëve që u përleshën me terroristët dukë shpëtuar me dhjetëra viktima të mundshme gjatë sulmit terrorist të disa muajve më parë në qendër të Londrës.

Top Channel