Jashanica çon Skënderbeun mes më të mirëve

20/10/2017 16:50

Skënderbeu nuk shkoi më shumë sesa barazimi pa gola ndaj Partizanit të Beogradit, mbrëmjen e së enjtes në “Elbasan Arena”, por kjo ndeshje nuk ka mbetur jashtë syrit analizues të institucionit drejtues të futbollit europian, UEFA.

Një ditë pas përfundimit të ndeshjeve të treta në grupet e Europa League, UEFA.com ka zbuluar edhe formacionin e javës, ku bie në sy veç të tjerëve edhe një futbollist shqiptar i Skënderbeut.

Bëhet fjalë për Barjam Jashanicën, mbrojtësin nga Kosova të “ujqërve të dëborës”, i cili sipas vlerësimit të UEFA-s ka grumbulluar 191 pikë. Ai është vlerësuar për kontributin e rëndësishëm teksa ekipi shqiptar ruajti të paprekur portën e tij kundrejt serbëve.

Plot 7 topa të ndërprerë, 5 duele ajrore të fituara dhe 4 pastrime zone, ishin vetëm disa nga statistikat e tij mbresëlënëse në repartin e mbrojtjes.

Sa i përket formacionit, portieri më i mirë është vlerësuar Giannis Anestis i AEK-ut të Athinës; mbrojtësit më të mirë Alberto de la Bella i Sociedadit, Cosmin Moti i Ludogoretsit, Dmitri Shomko i Astanës, dhe Jashanica i Skënderbeut; në mesfushë spikasin Emiliano Rigoni i Zenitit, Sergej Milinkoviç-Saviç i Lacios, Xabi Prieto i Sociedadid dhe Josip Iliçiç i Atalantës. Në sulm janë shquar Willian José  i Sociedadid dhe Junior Kabananga i Astanës.

Top Channel