Një “aeroplan letre” tek ish-Fusha e Aviacionit

18/10/2017 11:51

Një vepër arti është vendosur në zonën e ish-Fushës së Aviacionit në kryeqytet si një vlerë artistike dhe estetike për zonën.

“Vërtet kemi pasur kushte më modeste, ndoshta kemi qenë më të lumtur se kemi pasur një komunitet më të fortë. Ndaj besoj se ky instalacion evokon komunitetin e fortë që kemi këtu tek ish Fusha e Aviacionit. Sigurisht, është një kujtesë e historisë në një kohë që Shqipëria ishte mbushur me tanke dhe avionë për t’u mbrojtur nga armiq imagjinarë që nuk erdhën kurrë dhe për një zonë që është fusha e aviacionit”, tha kreu i bashkisë Erion Veliaj.

Por, përveç vlerës kulturore edhe estetike që kjo vepër i jep gjithë zonës, ai theksoi se ajo do të shërbejë edhe si një mënyrë për ta kthyer këtë hapësirë në një vend të preferuar për zhvillimin e aktiviteteve artistike dhe edukative, kryesisht për të rinj.

“Shpresoj shumë që instalacioni i avionit prej letre të jetë një mundësi që të shërbejë si një akupunkturë, si një gjilpërë në trupin e qytetit, e cila mund të gjenerojë më shumë aktivitete, më shumë evente për komunitetin, më shumë arsye për t’u bërë bashkë, ashtu si shumë instalacione që kemi vendosur në qyet, si Reja, apo vende të tjera, që janë kthyer në pikë takim dhe një toponim për lagjen. Shpresoj se nuk do jetë e largët dita kur të thonë, do takohemi tek raketa, tek fusha e aviacionit për të bërë një aktivitet, një teatër, shfaqje apo koncert”, tha kryebashkiaku i Tiranës.

Origami “Ëndrra Fëmijërie” (Made by dreams) është një vepër arti e cila ka për qëllim të ruajë kujtesën kolektive të zonës ku është vendosur dhe ai imiton aeroplanët prej letre të cilat i bëjnë fëmijët. Vepra është 11 m i gjatë, thuajse sa gjatësia reale e një Avioni Mig që dikur gjendej shpesh në ish Fushën e Aviacionit.

FOTO GALERI
2/5

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA