Manja: PD kërkon debat, por prodhon zhurmë

12/10/2017 00:00

Deputeti socialist, Ulsi Manja thotë se në Kuvend nuk po i mohohet e drejta e fjalës opozitës dhe as frika për t’u përballur në debat me të.

“Ajo sallë quhet Kuvend dhe ka një radhë për debatin dhe respektin ndaj njëri-tjetrit. Në këtë legjislaturë po kërkohet dhe zbatohet rregullorja e Kuvendit”, tha ai duke folur në Top Story me Sokol Ballën.

Manja thotë se ndryshe nga legjislatura që kaloi, kur sipas tij, “është folur për gjithçka dhe vetëm për ligjet nuk është folur asnjëherë’, këtë legjislaturë ndodh e kundërta.

“Në atë sallë diskutohet për ligjet”, u shpreh ai.

Sipas deputetit socialist, ajo që po prodhon opozita në Parlament është vetëm zhurma.

“Me opozitën e sotme ajo që po ndodh në sallë është zhurma. Duan debat, por debat nuk po shohim gjëkundi”, u shpreh ai.

Manja thotë se opozita nuk ka shqetësim ngritjen e Komisionit për Reformën Zgjedhore, ndërsa shton se vetë Edmond Spaho në Kryesinë e Kuvendit kishte rënë dakord që ngritja e këtij komisioni të bëhej pa debat në seancë.

“Nëse do të kishte merakun e komisionit, sot ai Komision do të ishte mbledhur dy herë. Edmond Spaho kishte rënë dakord në Kryesi me ne që votimi për komisionin të kalonte pa debat. Pastaj u kërkua debat dhe për këtë u shty me një javë votimi i komisionit”, u shpreh ai. 

Top Channel