Japonia lëshoi me sukses në hapësirë satelitin e saj të katërt, i cili pritet të rrisë saktësinë e informacioneve të përftuara nga sistemi global i pozicionimit “GPS”, i përdorur në celularë, dhe orientimin e automjeteve.

Raketa “H-IIA”, që mbante satelitin “Michibiki No.4”, u ngrit në ajër nga Qendra Hapësinore e Tanegashimës, në jug të vendit. Sateliti e plotëson edhe më shumë versionin amerikan të “GPS”-it, i cili ka një marzh gabimi prej 10 metrash, por që tani, me sistemin japonez, mungesa e saktësisë së tij të pozicionit do të reduktohet në vetëm disa centimetra.

Të tjerë satelitë pritet të lëshohen më vonë, po në ndihmë të sistemit ekzistues, por një shërbim bazik 4-satelitësh i “GPS”-it, sipas zyrtarëve japonezë pritet të jetë operacional në vitin 2018.

Sateliti mbërriti në orbitë rreth 28 minuta pas lëshimit, në një lartësi të llogaritur diku tek 273 km. I treti i llojit të tij, “Michibiki” u lëshua në hapësirë gushtin e këtij viti. Shërbimi i ri “GPS” pritet të gjejë përdorim të gjerë, në mënyrë të veçantë tek automjetet me marshe automatike, makineritë bujqësore e ato të ndërtimit, si dhe te dronët.

Top Channel