
Epilogu i ndeshjes së Shkodrës për tifozët italianë ishte një festë disi e cunguar, pasi veç gëzimit për arritjen në “play off”, mbështetësit e “të kaltërve” shfaqën rezerva për një lojë që shumë e cilësuan mediokër ndaj Shqipërisë.
Më 17 tetor zbulohen rivalët e shortit, që do të vendosë skuadrat e tjera që shkojnë në Botërorin rus, e trajneri Ventura – në rrezik shkarkimi, – do të rikuperojë disa senatorë të kombëtares së futbollit.
Sfidat ndaj Maqedonisë dhe Shqipërisë këtë muaj ritheksuan limitet e përfaqësueses italiane, që vuan për të prodhuar lojë të bukur dhe nuk shfaq një identitet të vërtetë, duke rrezikuar jo pak, si në “Loro Boriçi”.
Trajneri, pavarësisht kritikave për skemat, tregoi në stadiumin e Shkodrës se do të vazhdojë me idetë e tij. Risia e “play off”-it nuk do të jetë moduli, por interpretuesit.
Në mesfushë për ndeshjet e nëntorit do të rikthehen Daniele de Rossi dhe Marco Verrati. Ndërkohë në repartin sulmues, vendimtare është forma e Belottit, që me të gjitha gjasat do të lërë pas dëmtimin dhe do të rikthehet në formacion në krah të Ciro Immobile.
Top Channel