AKU nuk na mbron! KLSH: Defekte në ligj dhe emërime politike

09/10/2017 00:00

Situata alarmante e sigurisë ushqimore në Shqipëri është pranuar edhe nga vetë institucionet shtetërore.

Një raport i Kontrollit të Lartë të Shtetit i publikuar dy muaj më parë konstatoi se Autoriteti Kombëtar i Ushqimit nuk garanton sigurinë ushqimore. Raporti auditoi veprimatrinë e AKU-së për një periudhë 5-vjeçare.

Sipas KLSH, gjatë tij u konstatuan një sërë shkeljesh dhe parregullësish ligjore të cilat kanë cënuar sigurinë ushqimore dhe për pasojë jetën ekonomike e sociale në vend, me një ndikim të rëndësishëm në uljen e besimit të konsumatorëve.

Sipas KLSH, cënimi i sigurisë ushqimore nis që nga boshllëqet në kuadrin ligjor, ku edhe pse ligji bazë është miratuar para 9 vitesh institucionet ende nuk e kanë plotësuar atë me aktet nënligjore të domosdoshme.

Ndërsa vetë Autoriteti Kombëtar i Ushqimit funksionon pa një rregullore të brendshme, në kundërshtim flagrant me ligjin. Sipas raportit, në AKU mungon analiza e riskut në nivel drejtorish dhe sektorësh, e madje nuk ka një bazë të saktë të dhënash për kompanitë që importojnë produkte ushqimore.

Paralelisht, KLSH konstaton se lëvizjet e shpeshta të drejtuesve dhe emërimet politike të punonjësve kanë bërë që institucioni të mbushet me inspektorë të cilët nuk kanë asnjë lidhje me profesionin e sigurisë ushqimore.

Në fund të raportit institucioni suprem i auditimit jep 22 rekomandime, që nga plotësimi i kuadrit ligjor e deri tek mënyra se si duhet të fuknsiojë AKU, për të vënë nën kontroll, sipas KLSH, situatën e papranueshme me sigurinë ushqimore në vend.

Top Channel