PD letër Prokurorisë e KQZ për dy deputetë të PDIU

04/10/2017 00:00

Demokratët i rikthehen edhe një herë dekriminalizimit, duke i kërkuar Prokurorisë së Përgjithshme dhe Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve verifikimin e të dhënave të deklaruara në formularin e vetëdeklarimit, për dy deputetë, Aqif Rakipin e PDIU dhe socialistin Gjetan Gjetani.

Kërkesa është e njëjtë për të dy deputetët aktualë të Kuvendit, pasi sipas PD ekziston dyshimi i arsyeshëm se deputetet Gjetan Gjetani, deputeti i Lezhës dhe Aqif Rakipi i Elbasanit, ndodhen të dy në kushtet e ndalimit për të kandiduar dhe për tu zgjedhur në një funksion të lartë publik për shkak të rekordeve kriminale në shtetin Italian.

Për këtë arsye demokratët kërkojnë nga organi i akuzës dhe Komisionit Qendror te Zgjedhjeve, që në zbatim të detyrimit të parashikuar nga neni 8 i ligjit për verifikimin e të dhënave të deklaruara në formularin e vetëdeklarimit, të bëjnë verifikimin e plotë të të dhënave.

Madje deputetët demokratë nuk ngurrojnë as të akuzojnë këto dy institucione se pavarësisht fakteve të njohura botërisht, nuk kanë kryer verifikimin e plotë të të dhënave. Sipas ligjit të dekriminalizimit, verifikimi i të dhënave kryhet sa herë kjo kërkohet nga nje e dhjeta e deputetëve, për një deputet apo anëtar të Këshillit të Ministrave përfshirë kryeministrin. Edhe më herët Prokurorisë dhe KQZ i është kërkuar verifikimi i të dhënave për deputetin Rakipi por në atë kohë KQZ tha në përgjigje për Prokurorinë se ai nuk ishte në pozitat e humbjes së mandatit.

PDIU reagoi menjëherë në emër të deputetit Rakipi duke akuzuar Lulzim Bashën se dramën e humbjes së 25 qershorit kërkon ta transferojë diku tjetër në një kohë që Aqif Rakipi është verifikuar më herët nga institucionet ligjzbatuese dhe zyrtarisht Interpoli dhe Prokuroria kanë deklaruar se nuk ka të dhëna për implikimin e tij. Por njësoj, shpifje të demokratëve i ka cilësuar akuzat në adresë të tij edhe deputeti socialist Gjetani. Prokuroria e Përgjithshme është e vetmja hallkë që mund të hetojë për të shkuarën e këtyre dy zyrtarëve, jashtë kufijve të vendit dhe më thellësisht në kohë dhe në përmbajtje.

FOTO GALERI
2/2
Kerkesa per Gjetan Gjetanin

Top Channel