
Nën shembullin e marketeve të ngjashme të zhvilluara në Berlin, Kanë, Trieste e Romë, tani edhe Shqipëria do të ketë marketin e saj të shkëmbimit kinematografik.
Producentët më të suksesshëm të kinemasë evropiane të viteve të fundit, fitues të Palmës së Artë të Kanës dhe Ariut të Artë në Berlin do të jenë prezente në edicionin e parë te Balkan Film Market, një ngjarje unike në skenën ballkanike të filmit që organizohet në Tiranë.
Në çeljen e këtij eventi ministrja e Kulturës tha se 4 vite më parë Shqipëria e kishte shumë të vështirë të krijonte rrjet kontaktesh, por me anëtarësimin në Creative Europe, sot ka më shumë mundësi për kineastët shqiptare.
“Është ky bashkëpunim midis 3 poleve: Ministria e Kulturës, Qendra Kombëtare e Kinematografisë ose Sportelet qe i quajmë mediadesk, të cilët kanë dhënë rezultate shumë të mira. Sot besoj që është një dosje me të cilën ne mund të krenohemi në 20 vjetorin e krijimit të QKK-së edhe ne duhet te jemi më krenarë që ky takim i të gjithë aktorëve regjionale po mbahet në Tiranë”, u shpreh Mirela Kumbaro.
“Markete ka kudo në Europë, por ajo çka e bën këtë market unik është fakti që në çdo vend tjetër që organizohen markete të tilla analoge, janë markete bashkangjitur festivaleve, pra janë sekondare. Në këtë aspekt është një koncept i ri, është marketi funksioni primar”, thotë Andamion Murataj, drejtor “Balkan Film Market”.
Ky treg shkëmbimesh ka mbledhur në kryeqytet producentë e kineastë nga i gjithë Ballkani, të cilët jo vetëm do të shkëmbejnë ide mes tyre përmes forumeve të hapura, por do të lidhin edhe kontrata në fushën e kinematografisë 2-7 tetor.
Top Channel