
Ana e errët e hënës, pjesa kryesore e ajsbergut e zhytur nën sipërfaqe, janë metafora të njohura të nënvetëdijës. Në vijën ndarëse midis së dukshmes e të padukshmes ekziston imagjinata, ajo imagjinatë që artistin Joni Kraja e çon larg në hapësirë për të sjellë një cikël të ri punësh, me titull “Moonlight”.
“Nuk kam parë hënën dhe jam munduar që ta interpretoj, përkundrazi, interpretoj gjendjet e mia shpirtërore që marrin shkas nga jeta që unë bëj. Nuk është hëna elementi kryesor që kam dashur të transmetoj. Është një formë udhëtimi që shoqëron gjithë krijimtarinë time, është një udhëtim imagjinar”, shprehet Jon Kraja, piktor.
E ky udhëtim imagjinar drejt hënës do të mbetet gjithnjë i tillë, pasi, nëse Marsin ka dëshirë ta vizitojë për shkak se ka lindur në muajin me të njëjtin emër, me hënën, Joni dëshiron të ruajë përjetësisht magjinë e dritës së saj.
“Më kujtohet një thënie, ku dy personazhe të Remarque, pasi kanë pirë nga një gotë jashtë, e gjejnë veten poshtë dritës së hënës dhe njëri prej tyre i thotë tjetrit: -Si ka mundësi që i bëjnë përmendore lloj-lloj njerëzve dhe nuk doli njeri që t’i bëjë një përmendore hënës. Ëndrra ime ka qenë që t’i bëj një përmendore hënës”, thotë piktori.
“Përmendoret e hënës” në tablotë e Joni Krajës, janë ekspozuar në “Galerinë 70” të Artit Kontenporan deri në mesin e muajit tetor.
Top Channel