“Braktisja e fëmijëve të mitur”, procedohen 5 shtetas

28/09/2017 00:00

Pesë persona janë proceduar penalisht nga Drejtoria Vendore e Kufirit dhe Migracionit Vlorë, gjatë 10 ditëve të fundit për “braktisja e fëmijëve të mitur”.

Policia Kufitare Vlorë kërkon ndërgjegjësim nga të gjithë shtetasit lidhur me mosbraktisjen e fëmijëve të mitur në vendet e BE-së me qëllim përfitimi të azilit social!

Drejtoria Vendore e Kufirit dhe Migracionit Vlorë, gjatë 10 ditëve të fundit në Pikën e Kalimit Kufitar të Portit Vlorë, kanë konstatuar 5 raste të veprës penale Braktisja e fëmijëve të mitur, në Vendet e BE-së me qëllim përfitimi azil social, ku edhe kanë nisur procedimet penale për pesë shtetas :

L.P., 57 vjeç, banues në fshatin Baltëz, Fier.
A.H., 69 vjeç, banues në fshatin Picar,Vlorë.
P.C., 45 vjeç, banues në fshatin Strum, Fier.
D.GJ., 49 vjeç, banues në Tiranë.
B.K., 43 vjeç, banues në fshatin Shtermen,Elbasan.

Shtetasit e lartëpërmëndur kanë dalë nga PKK Vlorë së bashku me fëmijët e tyre të mitur në drejtim të shtetit Italian dhe janë kthyer pa fëmijët përkatës të secilit.

Nga pala Italiane dhe ajo Franceze është bërë njoftim pranë Struktuarve Policore  të DVKM Vlorë se fëmijët e këtyre shtetasve kanë kërkuar Azil Social pikërisht në këto vende.

Policia Kufitare u bënë thirrje të gjithë shtetasve, të cilët kalojnë Kufirin Shqiptar me fëmijët e tyre të mitur për në Vendet e BE-së, të mos i braktisin ata me qëllim përfitimi azil social, pasi do të jenë subjekt të hetimit dhe do të ndiqen penalisht nga Policia Kufitare dhe Prokuroria për veprën penale të “braktisjes së fëmijëve të mitur”.

Top Channel