
Një javë para premierës botërore të krijimit më të ri të Angjelin Preljocaj, Ambasada e Francës ka zbuluar vetëm se kjo shfaqje e koreografit francez me origjinë shqiptare do të interpretohet nga 6 artistë, duke mbajtur ende të fshehtë titullin e pjesës.
Spektakli i 4 tetorit do të përmbajë dy pjesë: “Un trait d’union”, një krijim i vitit ’89 ku duoja mashkullore vjen në një dialog trupor, ndërsa kurioziteti për krijimin e ri të Preljocajt do të zbulohet më 3 tetor, kur vetë artisti të mbërrijë në Tiranë.
“Këtë herë, Angjelin Preljocaj ka përzgjedhur Ballkanin për të shfaqur krijimin e tij të ri dhe premiera botërore do të jetë në Shqipëri për shkak të origjinës së tij. Pas Shqipërisë me 5 tetor ai do ta shfaqë krijimin e tij në Kosovë e më pas në Serbi, por gjithashtu edhe në Europë, por datat nuk janë përcaktuar ende”, u shpreh Rose-Anne Bisiaux, këshilltare për bashkëpunimin dhe Kulturën, Ambasada franceze.
Preljocaj çel edhe Festivalin e Dancit Kontemporan në Shqipëri.
“Për Shqipërinë është shumë e rëndësishme që ne të mbajmë gjallë kontaktet, jo thjesht dhe vetëm me emra të njohur të dancit bashkëkohor, por gjithashtu me kërkimet e reja në këtë fushë. Është kënaqësi që edicioni i 12-të i “Albania Dance Meeting Festival” të hapet me baletin Preljocaj. Është një privilegj për festivalin”, tha Gjergj Prevazi, Drejtor i “Albania Dance Meeting”.
Biletat për këtë event janë në shitje që prej datës 27 shtator deri në ditën e shfaqjes në Pallatin e Kongreseve.
Top Channel