Shtet i ri kurd? Referendum për pavarësinë e Kurdistanit

25/09/2017 00:00

Kurdët e Irakut po hedhin votën e tyre në referendumin e pavarësisë, që pritet të marrë mbështetje të madhe mes tyre, pavarësisht se kundërshtohet me forcë nga Bagdadi zyrtar, vendet fqinje dhe Shtetet e Bashkuara.

Qendrat e votimit u hapën në mëngjes në 3 provincat veriore, të cilat përbëjnë të gjithë rajonin e Kurdistanit, si dhe në zonat e pretenduara sa nga kurdët, aq edhe nga ekzekutivi irakian.

Kryeministri Haider al-Abadi e cilësoi referendumin të paligjshëm, por udhëheqësit rajonalë janë të bindur se do të ketë një triumf të “Po”-së, e kjo do t’iu japë mandatin për nisjen e negociatave të shkëputjes.

“Dua të theksoj se ky referendum nuk synon heqjen e vijës kufitare të Kurdistanit, e as imponon ndonjë lloj ‘status quo’-je në zona të tjera. Pasi votimi të jetë mbyllur e rezultati të jetë bërë i qartë, ne jemi gati të nisim procesin e dialogut me Bagdadin dhe t’i japim kohën që i nevojitet, një vit, dy vite, e të shohim sa konstruktive do të jenë bisedimet me të. Por ne nuk do të kthehemi kurrë në Bagdad për të rinegociuar partneritetin e dështuar të së shkuarës”, tha Massoud Barzani, kryetar i qeverisë rajonale të Kurdistanit.

Pesë milionë vetë janë regjistruar për të votuar në referendumin e shumëpritur. Kurdët përbëjnë grupin e katërt më të madh etnik në Lindjen e Mesme, por nuk e kanë krijuar dot kurrë një shtet të përhershëm. Shqetësimi që ngjall një skenar i tillë mbetet i madh, sidomos te fqinjët.

“Iraku duhet të mbetet një i tërë e ta ruajë integritetin e vet. Ndarja do të sillte probleme të mëdha, jo vetëm për atë vet, por edhe për shtetet e tjera të rajonit”, tha Ayman Sosan, ministër sirian i Asistencës së Jashtme.

Përpara se të niste votimi, al-Abadi urdhëroi rajonin kurd të dorëzojë vendkalimet kufitare dhe aeroportet, e u bëri thirrje vendeve të tjera që të mos importojnë naftë nga kurdët.

Top Channel