S’ka byzylykë elektronikë, pezullohet dhënia e vendimeve

22/09/2017 00:00

Që prej datës 4 shtator, të gjitha gjykatat e Shkallës së Parë në vend kanë pezulluar dhënien e vendimeve për aplikimin e mbikëqyrjes elektronike, një dënim ky që jepej prej 4 vitesh, ndaj personave që dyshohen për vepra me dënueshmëri nën 5 vite burgim.

Ky vendim është marrë pas një shkrese të shpërndarë nga institucioni i Shërbimit të Provës, që informon gjyqtarët se nuk posedohen pajisje për mbikëqyrje, gjë që do të thotë bllokimin pa afat të vendimeve të tilla gjyqësore.

Në shkresën që Top Channel disponon, thuhet:
“Ju njoftojmë se numri i pajisjeve në dispozicion për ditën aktuale, datë 4 shtator 2017, për realizimin e mbikëqyrjes elektronike është zero njësi”, shkruan Drejtoria e Mbikëqyrjes Elektronike.

Shkresa është përcjellë nga Drejtoria e Mbikëqyrjes Elektronike, që pretendon se aktualisht pajisjet po kolaudohen dhe po verifikohen, sipas një urdhri të ministrit të Drejtësisë.

Sipas vendimeve të mëparshme të gjykatave, të shpallura para muajit shtator, janë vendosur dhe po mbahen nën mbikëqyrje elektronike 87 shtetas, kryesisht të moshuar, të mitur dhe të tjerë që kanë probleme shëndetësore. Nën këtë masë, të gjithë ata presin që Prokuroria të përfundojë hetimet ndaj tyre.

Që prej vitit 2013, kur nisi zbatimi i ligjit për mbikëqyrjen elektronike, janë mbajtur brenda një perimetri të caktuar, nën monitorim elektronik 354 persona.

Në muajin gusht doli në dritë një përplasje mes Ministrisë së Drejtësisë dhe Bashkimit të Operatorëve, fitues të tenderit për pajisjet monitoruese. Sipas pretendimeve të atëhershme, kompania nuk kishte dorëzuar ende 300 copë pajisje, që pas një letër-këmbimi intensiv me ish-ministrin Gazmend Bardhi u depozituan në Ministrinë e Drejtësisë.

Top Channel