Parku i Hallouinit, vijnë në jetë personazhet horror

21/09/2017 00:00

Kodrat e Univeral Studio, në Hollivud ushtuan nga ulërimat e personazheve të filmave horror, që erdhën në jetë me hapjen e parkut vjetor tematik të hallouinit.

Këtë vit u krijuan 10 labirinte, të mbushura me gjak, drita të zbehta dhe aktorë të veshur si personazhe të frikshëm, që mbinin papritur në mes të errësirës.

Parku është ideuar nga John Murdy, drejtori artistik i Universal Studio. Ai krijoi labirinte të shumta të frymëzuara nga horroret klasike si ‘Makth në Elm Street’, ‘Hallouin, ‘Sharra’ apo ‘Gëzuar ditën e vdekjes’.

“Këtu në ‘natën e tmerrit’ mund të përjetosh filma që ende nuk janë shfaqur, si psh seria e fundit e sharrës”, tha John Murdy.

Me rastin e eventit, u shfaqën aktorë të ndryshëm që kanë interpretuar në filmat horror në fjalë. Frank Grillo, i cili ka aktruar në filmat ‘Spastrimi’, testoi guximin e tij duke hyrë në labirintin që i dedikohej këtyre prodhimeve, ku maniakë me thikë në dorë, dilnin nga çdo qoshe.

“Nuk më pëlqen që të më dalin njerëz pas shpine, më frikëson kjo gjë. Druhem nga ajo që mund të ndodhë”, u shpreh Grillo.

Nata e horrorit për hallouin vazhdon deri në 4 nëntor.

Top Channel