Merkel, kundër Trump: Zgjidhja ushtarake për Korenë, e papërshtatshme

21/09/2017 00:00

Gjermania dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk janë në një linjë mendimi sa i takon mënyrës sesi duhet zgjidhur ngërçi me Korenë e Veriut.

Nga Asambleja e Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, Donald Trump deklaroi se do ta shkatërrojë krejtësisht vendin komunist, nëse kërcënon Amerikën apo aleatët e saj.

Merkel, e cila pritet të fitojë këtë të dielë një mandat të katërt në krye të ekzekutivit gjerman, mendon se shefi i Shtëpisë së Bardhë e ka gabim.

“Unë jam kundër kërcënimeve të tilla. Ne konsiderojmë çdo lloj zgjidhjeje ushtarake si totalisht të papërshtatshme dhe këmbëngulim te përpjekjet diplomatike. Për mendimin tim, në këtë kuadër, edhe sanksionet dhe vënia në jetë e tyre janë përgjigjja e duhur. Por, gjithçka tjetër në lidhje me Korenë e Veriut e konsideroj të gabuar”, tha Merkel.

Këtë gjë, siç e pohoi dhe vet, kancelarja e ka diskutuar në telefon me presidentin përpara disa ditësh. “Ndonëse Koreja e Veriut është mjaft larg në distancë nga Gjermania – u shpreh ajo, – kemi të bëjmë me një konflikt që na prek edhe neve. Ndaj jemi të gatshëm të marrim përgjegjësitë tona”.

Më herët, ministri i Jashtëm koreano-verior, Ri Yong Ho e krahasoi kërcënimin e Trump me “lehjen e një qeni”, e tha se i vjen keq për këshilltarët e kreut të administratës amerikane. Diplomatët e Penianit nuk ishin të pranishëm në sallë, gjatë kohës që Trump mbante fjalimin e tij debutues në OKB.

Top Channel