Meksikë, 250 viktima nga tërmeti; 1.900 të lënduar

21/09/2017 00:00

Ekipet e shpëtimit janë vënë në garë me kohën për të shpëtuar fëmijët që kanë mbetur të bllokuar në rrënojat e një shkolle në Mexico City, e cila u shemb si pasojë e tërmetit të së martës.

Mes tyre është edhe 12-vjeçarja Frida Sofia, e cila besohet të jetë e strehuar nën një tryezë, por ekipet e shpëtimit nuk po gjejnë mënyrën për të arritur tek ajo.

Të paktën 21 fëmijë dhe 5 të rritur humbën jetën pas shembjes së shkollës fillore në jug të kryeqytetit. Ajo ishte mes dhjetëra godinave që shkatërroi  lëkundja me magnitudë 7.1 e shkallës Rihter.

Viktimat e konfirmuara janë 250, ndërsa të plagosurit 1.900. Presidenti Enrique Pena Nieto shpalli 3 ditë zie kombëtare, e ndërsa dëmet dhe historitë që vijnë nga zonat e prekura prej tërmetit janë nga më tragjiket.

Ashtu si ajo e vogëlushëve të vrarë në një ceremoni pagëzimi në kishë. Aktualisht e gjithë vëmendja është përqëndruar te shkolla. Identifikimi i një të mbijetuare ka shtuar shpresat se fëmijë të tjerë mund t’i kenë shpëtuar katastrofës. Por ekzistojnë shqetësimet se struktura mund të shembet edhe më tej.

Pranë zonës janë mbledhur familjarë dhe qytetarë të shumtë.

“Fëmijët e mi kanë qenë në këtë shkollë për 6 vite. Falë Zotit që i hoqa prej andej dhe shpëtuan”, tha një banore.

Më herët, presidenti meksikan Enrique Pena Nieto tha se prioriteti numër një ishte shpëtimi i jetëve dhe se kishte pranuar ndihmën e disa vendeve të huaja, përfshi këtu SHBA, Spanjën dhe Japoninë, përkrah shteteve të tjera të Amerikës Latine, të mësuara tashmë me fatkeqësi të tilla natyrore.

Top Channel