“Maria” vazhdon tërbimin, tashmë drejt Republikës Domenikane

21/09/2017 00:00

Pas përplasjes në Porto Riko, ku i la thuajse të 3.5 milionë banorët e ishullit pa energji elektrike, uragani “Maria” po i drejtohet Republikës Domenikane. Banorët e kësaj të fundit i kanë shtuar përgatitjet, edhe pse stuhia, e dyta e fuqisë maksimale që godet rajonin këtë muaj, e ka humbur një pjesë të forcës së saj, duke u kthyer në uragan të kategorisë së tretë.

“Po bëhemi gati, në mënyrë që të mos befasohemi sërish nga një uragan tjetër. Në komunitetin tonë nuk kemi strehime për raste të tilla, pra nuk e kemi një qoshkë të sigurtë”, tha Maria Reyes, banore e Republikës Domenikane.

Vendi e ka mbyllur shumicën e porteve përpara afrimit të uraganit, por rafineria që prodhon 34 mijë fuçi nafte në ditë vazhdon të jetë në funksion. Banorët e pikës së famshme turistike, Punta Cana, janë strehuar në një shkollë të zonës.

Porto Rikon, “Maria” e goditi me fuqinë e një stuhie të kategorisë së katërt, potenciali i së cilës është shkatërrimtar. Qendra Kombëtare e Uraganëve në Shtetet e Bashkuara njofton se, pjesë të tëra të ishullit janë përballur me përmbytje katastrofike, por “Maria” nuk ka shkaktuar atje veçse një viktimë, një burrë që humbi jetën prej mbetjeve që erërat e fuqishme të saj i kanë vërtitur në ajër egërsisht.

Më herët, presidenti Donald Trump shpalli gjendjen e jashtëzakonshme në Porto Riko dhe ishujt Virgin, ndërsa autorizoi Departamentin e Sigurisë Kombëtare dhe Agjencinë e Menaxhimit të Emergjencave të koordinojnë përpjekjet e ndihmave. Para se të mbërrinte në Porto Riko, “Maria” goditi ishullin Domenika, ku la pas shkatërrime masive.

Top Channel