“Maria”, 15 të vdekur në Dominica

21/09/2017 00:00

Shkatërrim, përmbytje dhe një ishull të tërë në errësirë. Këto janë pasojat e uraganit “Maria”, që pasi goditi Porto Rikon të mërkurën i është drejtuar Republikës Domenikane, si stuhi e kategorisë së tretë.

Territori amerikan i Porto Rikos, me 3.5 milionë banorë, vazhdon të jetë pa energji elektrike dhe i goditur nga reshjet e rrëmbyeshme. Dëmet atje nuk janë ende të qarta, ndërsa në ishullin e Dominicas, ku “Maria” u përplas të hënën me forcën e saj maksimale, atë të kategorisë së pestë, autoritetet konfirmojnë se janë shkaktuar të paktën 15 viktima. 20 të tjerë rezultojnë të zhdukur.

Megjithatë, kryeministri i ishullit Rusvelt Skerrit tha gjatë një fjalimi emocional se ishte një mrekulli që viktimat nuk ishin me qindra. Ai shtoi se vendi kishte pësuar dëme katastrofike dhe se do të kishte nevojë për të gjithë ndihmën që bota mund të ofrojë.

Tani janë banorët e Republikës Domenikane, që bëhen gati të presin stuhinë e frikshme, e dyta që godet rajonin këtë muaj. Mbrëmjen e së enjtes, uragani pritet të kalojë në det të hapur, në pjesën veriore të Republikës Domenikane, e t’iu afrohet ishujve Turks e Kaikos në orët e para të së premtes.

Top Channel