Zgjedhjet gjermane, Merkel pret fitoren; por rritet e djathta ekstreme

20/09/2017 00:00

Katër ditë nga zgjedhjet e së dielës në Gjermani, skenari postelektoral i vendit është komplikuar disi. Që Angela Merkel mund të rikonfirmohet kancelare, kjo merret gati e mirëqenë: të gjitha sondazhet i japin një avantazh të lehtë unionit të saj “CDU-CSU”, rreth 36-38% të votave.

Për rivalin Martin Schulz, sovrane është pasiguria, si në planin e rezultateve, ashtu dhe në atë të koalicionit që mund të krijohet në bazë të votës. Por perspektivën paszgjedhore e trazon rritja e “Alternativës për Gjermaninë”, partia ultranacionaliste kundër emigrantëve e lindur në vitin 2013.

Anketimet e javëve të fundit tregojnë një avancim të ndjeshëm të saj. Nga 7 apo 8 për qind që shënonte përpara disa muajsh, tani “AfD”-ja shijon deri në 12 të mbështetjes së gjermanëve. Bashkëdrejtuesja e saj, Alice Weidel pretendon se partia e vet mund të kapërcejë 20 përqindëshin e të kthehet në forcën e dytë të Parlamentit, gjë që nuk mund të ndodhë.

Por, sërish përkrahja për të mbetet në nivele të rrezikshme dhe tërmeti në skenën politike gjermane mund të ndodhë vërtet, pasi “AfD”-ja ka mundësi reale të hyjë në Bundestag, ku do t’i krijonte Angela Merkelit vështirësi të mëdha, si skeptike ndaj Europës dhe euros.

Nuk dihet ndërkohë sesi do të shkojnë përpjekjet e “CDU-CSU” për koalicione, sepse nga sondazhet rezulton qartë që, edhe po t’iu bashkohen liberalët, sërish nuk e krijojnë dot shumicën, vetëm nëse iu bashkohen edhe “Të gjelbrit”, ndërsa një koalicion si ai aktuali me socialdemokratët duket i vështirë.

Top Channel