Tërmeti në Meksikë, vazhdojnë operacionet e shpëtimit

20/09/2017 00:00

Në Meksikë vazhdojnë kërkimet intensive për gjetjen e të mbijetuarve të mundshëm, në rrënojat që shkaktoi tërmeti më i fuqishëm që goditi vendin, në 30 vjet.

Qeveria Meksikane konfirmoi se 225 persona kanë humbur jetën rreth vendit dhe se të paktën 38 godina u shkatërruan në Meksiko City, si pasojë e lëkundjes me magnitudë 7.1 të shkallës Rihter.

Mes godinave të shembura është një shkollë fillore në jug të kryeqytetit, ku mbetën të vrarë të paktën 21 fëmijë dhe 4 të rritur. I gjithë vendi po mban frymën në pritje të lajmeve të mira, për dhjetra të zhdukurit.

Lokalizimi i një 8 vjeçareje të gjallë në rrënojat e shkollës, ka shtuar shpresat për të mbijetuar të tjerë. Përmasat e tragjedisë bëhen më të qarta me kalimin e orëve, e siç u raportua gjatë darkës, shembja e një kishe në shtetin e Pueblos, i mori jetën 7 të rriturve e 4 fëmijve.

Mes viktimave është një i porsalindur që do të pagëzohej. Instituti gjeologjik amerikan që vlerëson dëmet e tërmeteve, parashikon se numri i viktimave të shkaktuara nga termeti do të arrijë në 1 mijë, ndërsa dëmet ekonomike do të prekin vlerën e 10 miliardë dollarëve.

Tërmeti ndodhi pikërisht në kohën kur shumë njerëz po merrnin pjesë në një simulim situate alarmi nga luhatjet e tokës, në 32 vjetorin e tërmetit që vrau mijëra vetë në kryeqytet. Meksika goditet shpesh nga tërmetet dhe më herët gjatë muajit, një lëkundje me magnitudë 8.1 i kushtoi jetën të paktën 90 personave.

Top Channel