Spanjë, bastisje dhe arrestime në Katalunjë

20/09/2017 00:00

Policia spanjolle ka arrestuar ministrin e Ekonomisë së Katalunjës, Josep Maria Jove, gjatë kësaj të mërkure, pjesë e bastisjeve ndaj zyrave qeveritare rajonale, përpara referendumit të paautorizuar për pavarësi.

Lajmi njoftohet nga burime qeveritare katalanase, sipas të cilave, policia spanjolle ka hyrë në mjediset e ministrive të Ekonomisë, të Brendshme, të Marrëvdhënieve të Jashtme, të Mirëqenies, Telekomunikacionit dhe Departamentin e Tatim-Taksave.

Tensionet me Madridin janë përshkallëzuar gjatëve javëve të fundit, pasi udhëheqësit e rajonit të pasur verilindor të Katalunjës janë zotuar t’i shkojnë deri në fund votimit të 1 tetorit për ndarje nga Spanja, gjë që qeveria qendrore e quan të paligjshme dhe kësisoj nuk mund të zhvillohet.

Gazeta “El Pais” thotë se në total janë arrestuar 14 persona.

Të martën, Garda Civile e Spanjës, një forcë policore kombëtare, ka sekuestruar 45 mijë zarfa të paketuara në kuti, të cilat qeveria katalanase planifikonte t’ua dërgonte njerëzve anembanë rajonit për informim mbi referendumin.

Ndërkohë, qindra kryebashkiakë katalanas u detyruan të paraqiteshin përpara prokurorit të shtetit ditën e martë, pasi thanë se do ta mbështesnin referendumin.

Top Channel