Rohani kundër Trump: Retorika e tij “injorante”

20/09/2017 00:00

Presidenti iranian Hassan Rouhani shfrytëzoi fjalimin e tij në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së për t’ju kundërpërgjigjur kritikave të presidentit amerikan Donald Trump lidhur me vendin e tij dhe marrëveshjen bërthamore të 2015-s.

Në fjalimin debutues në OKB të martën, numri një i Shtëpisë së Bardhë e përfshiu Iranin mes një grupi regjimesh pa principe. Ai e cilësoi ujdinë nukleare si një turp për Shtetet e Bashkuara.

Nuk ka vonuar përgjigja e Rouhanit, i cili ju referua atij si një fillestar në politikën ndërkombëtare dhe njeri pa principe. Presidenti iranian mohoi se vendi i tij do të ishte i pari që do të shkelte marrëveshjen, por shtoi se do të përgjigjeshin në mënyrë të vendosur ndaj shkeljes së saj nga ndonjëra palë.

“Retorika injorante, absurde dhe e urrejtjes e mbushur me akuza të pabaza, e cila u shpalos përpara jush një ditë më parë, jo vetëm që nuk ishte e përshtatshme për t’u dëgjuar në OKB, organizatë e themeluar për të promovuar paqen, por binte ndesh me kërkesat e tona për këtë organizëm, për të bërë së bashku kombet në luftën kundër terrorizmit”, u shpreh Hassan Rouhani, presidenti iranian.

Presidenti amerikan e ka dënuar vazhdimisht ujdinë bërthamore të sigluar nën udhëheqjen e Obamës, paraardhësi i tij në Shtëpinë e Bardhë.

E arritur në 2015-n në Vjenë, ajo i hapi udhën heqjes së sanksioneve ekonomike ndaj Republikës Islamike pasi agjencia ndërkombëtare për energjinë bërthamore garantoi se Teherani kishte kufizuar aktivitetet nukleare. 

Top Channel