“Maria” “shkel” Puerto Ricon, Trump shpall gjendjen e emergjencës

20/09/2017 00:00

“Maria”, uragani i dytë i fuqisë maksimale që krijohet këtë sezon në Atlantik, preku tokën në Puerto Rico pas përplasjes më parë mbi ishujt Virgin.

Stuhia e kategorisë së pestë u lëshua me të gjithë furinë e saj në St. Croix, një ditë pasi la pas një vazhdë shkatërrimesh në Dominica, e tani ka goditur territorin amerikan me erëra që mbërrijnë shpejtësinë 250 km në orë.

Uragani i dhunshëm po lëviz pothuajse në të njëjtën trajektore me “Irmën”, edhe ajo e kategorisë së pestë dhe me një formë shkatërrimtare.

Guvernatori i Puerto Ricos u drejtoi më herët banorëve një thirrje të qartë: gjeni streha të sigurta, përndryshe rrezikoni jetën!

Zyrtarët druhen se, mbetjet e lëna më herët nga “Irma” mund të kthehen tani në një element tejet të rrezikshëm nga erërat e forta të “Marias”. Gjithashtu ka shqetësime se reshjet e dendura të shiut mund të shkaktojnë rrëshqitje dheu, ndërsa në zonat e ulëta, stuhia parashikohet të ngrejë dallgë deri në 3 metra të larta.

Puerto Rico ka qenë një parajsë e mbrojtur për njerëzit, që u janë larguar këto javët e fundit ishujve të tjerë të shkatërruar të Karaibeve. Por tani, edhe ai vet është në rrugën e një tjetër stuhie shkatërrimtare.

Presidenti Donald Trump ka shpallur gjendjen e emergjencës për Puerto Ricon dhe ishujt Virgin, si dhe ka autorizuar Departamentin e Sigurisë Kombëtare dhe Agjencinë Federale të Emergjencave për të koordinuar të gjitha përpjekjet e shpëtimit. Një tjetër stuhi, stuhia tropikale “Lee” po pason nga lindja uraganin “Maria”, por nuk parashikohet nga meteorologët që t’iu afrohet Karaibeve.

Top Channel