Fjalimi debutues i Trump në OKB kritikohet nga shumë vende

20/09/2017 00:00

Ai që disa e përshkruan si fjalim i “urrejtjes” i Donald Trumpit në OKB është kritikuar prej vendeve anëtare të organizatës, të kthyera në shënjestrën e mërisë së presidentit amerikan.

Shefi i Shtëpisë së Bardhë e përfshiu Iranin në grupin e regjimeve të vogla mashtruese, e tha se Shtetet e Bashkuara do ta shkatërrojnë krejtësisht Korenë e Veriut, nëse cënon Amerikën apo aleatët e saj.

Ministri i Jashtëm iranian, Mohamad Javad Zarif u shpreh sem “fjalimi injorant i Trumpit i takon kohës së Mesjetës, e nuk e kishte vendin në OKB”. Kritika erdhën edhe nga Kuba, e indinjuar nga mënyra me të cilën kreu i administratës amerikane iu drejtua Kombeve të Bashkuara, duke përmendur edhe emrin e saj.

“Sa i takon incidenteve të supozuara, që kanë prekur zyrtarë amerikanë dhe familjarë të tyre në Havanë, delegacioni ynë e theksoi se Kuba i përmbush me vendosmëri detyrimet e saj lidhur me mbrojtjen e diplomatëve. Në vazhdën e deklaratave shpërfillëse, të papranueshme dhe ndërhyrëse, që bëri presidenti Trump në Asamblenë e OKB-së, delegacioni kuban protestoi fort dhe qartë”, tha Jose Antonio Napoles, moderator i “TV Kuban”.

E pakënaqur mbeti dhe ministrja e Jashtme suedeze, Margot Wallstrom, që e ndoqi fjalën e Trumpit me krahët e kryqëzuar dhe një vështrim mosbesues. “Ishte fjalimi i gabuar, në kohën e gabuar dhe përpara audiencës së gabuar”, tha ajo për BBC-në.

Presidenti amerikan fshikulloi edhe Venezuelën, duke e cilësuar qeverisjen e saj si një “diktaturë të korruptuar socialiste”, e paralajmëroi se Uashingtoni është i gatshëm të kalojë në veprim. Ministri i Jashtëm venezuelian, Jorge Arreaza tha se “Trump nuk është presidenti i botës. Ai madje nuk arrin dot të menaxhojë as administratën e vet”. Ndërsa kreu i shtetit, Nicolas Maduro e quajti “Hitlerin e ri të politikës ndërkombëtare”.

Top Channel