SHBA shton 3000 ushtarë në Afganistan

19/09/2017 00:00

Sekretari i Mbrojtjes i SHBA-ve, Jim Mattis thotë se SHBA do të dërgojë 3.000 trupa shtesë në Afganistan, ndërsa talebanët fitojnë terren dhe siguria përkeqësohet.

Operacionet luftarake amerikane kundër talebanëve, përfunduan zyrtarisht në 2014, por mbi 8000 forca speciale amerikane mbetën në vend, që të mbështesin trupat afgane.

Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, muajin e kaluar sinjalizoi se do të mbante praninë ushtarake në terren, për një kohë të pacaktuar.

Talibanët janë zotuar të kthejnë Afganistanin në një “varrezë” për forcat e huaja.
Z. Mattis konfirmoi vendimin për shtimin e trupave, të hënën, duke folur me gazetarët në Departamentin e Mbrojtjes.

Ky vendim vjen pas një kërkese në shkurt, nga komandanti i lartë amerikan në Afganistan, gjenerali Xhon Nicholson, për disa mijëra trupa shtesë, për të ndihmuar në betejen me forcat afgane të sigurisë.

Vendimi për të dërguar më shumë trupa, bie ndesh me deklaratat e Trump, që gjatë administratës së Obamës, vazhdimisht bënte thirrje që Shtetet e Bashkuara të tërhiqeshin nga Afganistani.

Më herët, edhe Shqipëria konfirmoi rritjen e prezencës së saj në Afganistan, edhe me një tjetër togë.

Top Channel