Një restorant vetëm me punonjëse femra të dënuara, në burgun e grave të qytetit historik portual të Kartagjenës në detin e Karaibeve, ka fituar popullaritet të madh mes klientëve që kërkojnë një eksperiencë ndryshe, por edhe atyre që mendojnë se çdokush në jetë e meriton një mundësi të dytë.

“Ky restorant është pjesë e një projekti më të gjerë, që përfshin arsimin, teatrin, bukëpjekjen apo pemëtarinë. Ai ka një fushë të gjerë veprimi në sipërmarrje, shërbim, kulinari etj. Ideja është t’i angazhojmë këta njerëz për t’iu treguar se mund t’ia nisin nga e para”, tha Luz Adriana Diaz, mbikëqyrëse e restorantit “Interno”.

Të burgosurat japin një ndihmëse të madhe në mbarëvajtjen e restorantit “Interno”, i cili shërben gatime të përzgjedhura për klientët, që prej çeljes së tij 15 dhjetorin e vitit 2016. Ai është nismë e fondacionit kolumbian “Veprimi alternativ për të burgosurit”, i drejtuar nga aktorja Johana Bahamon.

Si model ka shërbyer restoranti “In Galera” në një institut riedukimi në Milano të Italisë. Një ekip kuzhinjerësh me emër, ndër të cilët dhe shefi i mirënjohur spanjoll i kuzhinës, Koldo Miranda, kanë ndihmuar në krijimin e menysë të shijshme, që i tërheq adhuruesit e ushqimit si me magnet.

Nisma përpiqet të ndihmojë gjithashtu edhe në ndryshimin e perceptimit të të burgosurve nga shoqëria.

FOTO GALERI
2/4

Top Channel