Pakti me Trump, emigrantët “sulmojnë” Pelosin

19/09/2017 00:00

Kreu i demokratëve në Dhomën e Përfaqësuesve, Nancy Pelosi u prit në mënyrë aspak miqësore në San Francisco nga grupet e emigrantëve, në një shfaqje ku ajo po promovonte ligjin e rishikuar “DACA” për emigrantët e rinj.

Javën e shkuar, presidenti Donald Trump tha se ishte pranë një pakti me demokratët për mbrojtjen e atyre që kishin mbërritur në SHBA si minorenë.

Trump shfuqizoi ligjin e vjetër “DACA” të Barack Obamës dhe duket se u mor vesh me demokratët për një ligj të ri, por kjo nuk është vlerësuar aspak nga emigrantët, e Pelosi u përball me zhgënjimin e tyre.

Pas thirrjeve të shumta “ti je gënjeshtare”, Nancy Pelosi u detyrua të ndërpresë fjalimin, pasi ishte e qartë se askush nuk do ta lejonte të fliste. Protestuesit e shumtë thanë se demokratët kishin krijuar një makineri deportimi dhe atë ia dorëzuan Trumpit, ndërsa vet Pelosi pati mundësinë t’i mbronte, por nuk e bëri këtë.

Shumë prej protestuesve thanë se, pavarësisht përkatësisë, është e qartë se çdo politikan i përdor ata thjesht për pazare politike.

Top Channel