Marrëdhënie “të ngrira”, SHBA anulojnë shitjen e armëve Turqisë

19/09/2017 00:00

Qeveria amerikane ka ngrirë shitjen e armëve për truprojat e presidentit turk Recep Tayip Erdogan. Kjo lëvizje e Uashingtonit vjen në një moment kur marrëdhëniet mes dy vendeve janë tkurrur.

Ajo bllokon marrëveshjen prej 1.2 milion dollarësh e nënshkruar mes kompanisë së njohur “Sig Sauer” dhe qeverisë së Ankarasë për njësinë e truprojave që u përfshinë në përleshjen me protestuesit anti-Erdogan më 16 maj në Uashington.

“Shitja e armëve për agjentët e sigurisë së presidentit turk nuk duhet të ishte miratuar kurrë, duke parë precedentët e përdorimit të dhunës nga ana e tyre”, ka deklaruar një zyrtar ushtarak amerikan.

“Gjithashtu, ne duhet të ndalim shitjen e armëve për njësitë e Policisë Kombëtare të Turqisë, që kanë marrë pjesë në arrestimet arbitrare dhe abuzuar me të drejtat e qytetarëve turq që në mënyrë paqësore kritikojnë qeverinë”, ka thënë ushtaraku.

Erdogan, që i etiketoi protestuesit si “terroristë”, më herët gjatë muajit kritikoi Shtetet e Bashkuara për padinë që kishin ngritur ndaj truprojave të tij, duke deklaruar se çështja ishte “një demonstrim skandaloz se si funksionon drejtësia amerikane”.

Top Channel