“Stuhi” stërvitjesh ushtarake pranë Koresë së Veriut

18/09/2017 00:00

Ushtria amerikane zhvilloi stërvitje bombardimi së bashku me Korenë e Jugut mbi gadishullin korean, ndërsa Rusia dhe Kina nisën stërvitjet detare përpara takimit të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së të martën, ku kërcënimi bërthamor nga Koreja e Veriut pritet të zërë një vend të madh në diskutime.

“Stuhia” e stërvitjeve ushtarake vjen pak kohë pasi Peniani lëshoi një tjetër raketë balistike me rreze të mesme veprimi mbi Japoni, të premten e kaluar, si dhe pas zhvillimit të testit të 6 dhe më të fuqishëm bërthamor nga vendi i izoluar komunist më 3 shtator, në një sfidë të hapur ndaj sanksioneve të OKB-së dhe presionit ndërkombëtar.

Dy bombardues amerikanë “B-1B” dhe 4 avionë luftarakë “F-35” fluturuan nga Guami dhe Japonia për t’iu bashkuar avionëve luftarakë “F-15K” të Koresë së Jugut në stërvitjet e fundit, njofton Ministria e Mbrojtjes së Jugut.

Stërvitjet e përbashkëta janë zhvilluar “dy apo 3 herë në muaj” gjatë kohëve të fundit”, deklaroi ministri i Mbrojtjes, Song Young-moo gjatë një seance parlamentare të kësaj të hëne.

Në Pekin, agjencia zyrtare e lajmeve “Xinhua” njoftoi se Kina dhe Rusia kanë nisur stërvitjet detare në ekstremin më të largët rus, portin lindor të Vladivostokut, jo shumë larg nga kufiri mes Rusisë dhe Koresë së Veriut. Stërvitjet janë zhvilluar mes gjirit “Pjetri i Madh”, pranë Vladivostokut, dhe pjesës jugore të detit Okhotsk, në veri të Japonisë.

Stërvitja është pjesa e dytë e simulimeve detare mes Kinës dhe Rusisë gjatë këtij viti, me pjesën e parë që është zhvilluar në zonën e Baltikut gjatë muajit korrik. “Xinhua” nuk i lidh drejtpërdrejt stërvitjet me tensionin aktual mbi Korenë e Veriut.

Kina dhe Rusia kanë bërë vazhdimisht thirrje për një zgjidhje paqësore të konfliktit, si dhe për bisedime.

Të dielën, gjithsesi, ambasadorja amerikane në OKB, Nikki Haley tha se Këshillit të Sigurimit i kishin shteruar opsionet për frenimin e programit bërthamor të Koresë së Veriut, ndaj dhe Shtetet e Bashkuara mund ta kthejnë çështjen në duart e Pentagonit.

Në kundërpërgjigje të kësaj deklarate, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze, Lu Kang tha se detyra më e rëndësishme për të gjitha palët është zbatimi i plotë i rezolutave të fundit të OKB-së ndaj Koresë së Veriut, në vend që “ta komplikojnë qëllimisht çështjen”. Kjo, sepse kërcënimet ushtarake nga palë të ndryshme nuk kanë sjellë një zgjidhje të këtij problemi, tha ai.

Top Channel