Elizabeth II, me fjalimin e 1983-shit nëse shpërthen L.III.B.

18/09/2017 00:00

Mbretëresha Elizabeth II e ka gati fjalimin e saj në rast të shpërthimit të Luftës së Tretë Botërore. Në fakt, ky fjalim është shkruar që në vitin 1983, kur Lufta e Ftohtë arriti kulmin.

Ai ishte shkruar në mënyrë që të ishte i gatshëm të lexohej në çdo rast, e fatmirësisht kjo nuk ka ndodhur ende.

Sipas rregullit 30-vjeçar mbi dokumentet qeveritare në Britani, përmbajtja e plotë e letrës është bërë publike nga Arkiva Kombëtare dhe është botuar nga BBC.

Pavarësisht se është shkruar më shumë se 30 vite më parë, pjesa më e madhe e fjalimit të Mbretëreshës duket çuditërisht e përshtatshme për një Luftë Botërore të re në ditët e sotme.

Në tekst, Mbretëresha kujton kohën kur Britania hyri në Luftën e Dytë Botërore, kundër Gjermanisë naziste.

“Sot, kjo çmenduri po përhapet edhe njëherë në botë dhe vendi ynë duhet të përgatitet për të mbijetuar. Nuk e kam harruar asnjëherë trishtimin dhe krenarinë që unë dhe motra ime ndiemë, kur dëgjuam fjalët frymëzuese të babait në atë ditë të shënuar të vitit 1939. Për asnjë moment nuk imagjinova se kjo detyrë solemne dhe e vështirë, një ditë do të më takonte edhe mua”.

Ajo vijon duke nënvizuar se, armiku i vërtetë është fuqia e teknologjisë së keqpërdorur dhe u kujton njerëzve të mbeten të fortë.

“Ndërsa ne mblidhemi bashkë për të luftuar djallin e ri, le të lutemi për vendin tonë dhe për njerëzit e vullnetit të mirë kudo që janë. Zoti ju bekoftë!”, përfundon letra e Mbretëreshës. Këto fjalë, me shpresë, do të mbeten pjesë e së shkuarës e nuk do të bëhen pjesë e së ardhmes.

Top Channel