Ekspertët: Sanksionet ndaj Koresë së Veriut, të pavlera

18/09/2017 00:00

Sanksionet e reja ndërkombëtare ndaj Koresë së Veriut kanë sjellë një rritje të çmimit të naftës, por ka shumë pak prova, thuajse aspak, për të vërtetuar pretendimet amerikane se vendi i izoluar po mbytet ekonomisht, apo se drejtuesit e mjeteve atje po magazinojnë naftë në shtëpitë e tyre.

Të dielën, presidenti Trump – si zakonisht në “Twitter”, – ironizoi kreun koreano-verior Kim Jong-un dhe e quajti atë “Rocketman” apo njeriu i raketës, duke përdorur titulin e një kënge të famshme të Elton John.

Në të njëjtin mesazh, Trump pretendon se radhë të gjata janë formuar para pikave të karburantit në Korenë e Veriut për shkak të sanksioneve të reja.

Një javë pas miratimit të tyre, Uashingtoni thotë se Koreja e Veriut po e ndien shtrëngesën, por ekspertët thonë se kjo s’është e vërtetë dhe zor se sanksionet e naftës do ta detyrojnë Korenë komuniste të bindet.

Në Korenë e Veriut thuajse nuk ekzistojnë makinat private, që kryesisht iu rezervohen ushtarakëve dhe zyrtarëve të lartë, gjë që e bën trafikun një fjalë të huaj në kryeqytetin Penian dhe krejtësisht të panjohur në zona të tjera të vendit.

Edhe nëse sanksionet e fundit reduktojnë me 50% importin e natës në Korenë e Veriut, ato që do të mbesin pa lëvizur janë autobusët urbanë dhe shërbimet e tjera jothelbësore, por naftë do të ketë për ushtrinë dhe programin e armëve.

Pa llogaritur faktin që, fatkeqësisht, koreano-verioret janë mësuar të jetojnë me kushtë të rënda dhe mungesa e naftës për ta do të ishte thjesht testi i radhës, për të treguar besnikërinë ndaj regjimit. Ndërsa ky i fundit, pas kaq vitesh përvojë me sanksionet, tashmë është shndërruar edhe në një mjeshtër kontrabande për të shmangur kufizimet.

Top Channel