Koleksioni i ri i Carolina Herrerës

12/09/2017 00:00

Carolina Herrera luan me ngjyrat në koleksionin e saj të larmishëm “Pranverë 2018”. Stilistja e famshme, që ka veshur 5 zonja të para, u qëndroi besnike siluetave femërore plot sharm dhe elegancë, duke i gërshetuar me gama të buta të së kuqes, të verdhës, bojëqiellit e së gjelbrës.

Veterania e modës e quajti koleksionin e saj të fundit një “buqetë kremtuese ngjyrash”, si kompliment për kopshtin e mbushur me lule.

Supet e ekzagjeruara dominuan pasarelën, ku modelet sfiluan nën tingujt e këngës së “Rolling Stone”, “She’s a Rainbow”. Fustanet e Herrerës ishin të gjitha të prera në bel, duke theksuar kështu edhe më shumë hijeshinë femërore.

Koleksioni i mbushur me ngjyra ishte një surprizë nga stilistja, e njohur për preferencën e saj ndaj së bardhës. Terapisë së ngjyrave nuk i shpëtuan as xhinset me kopsa shumëngjyrëshe dhe bel të lartë, të kombinuara me bluza të thjeshta të mbyllura në grykë.

Herrera e lindur në Venezuelë u bë e para stiliste që realizon një spektakël të plotë mode në Muzeun e Artit Modern në Manhattan, ku gjenden vepra të mjeshtrave të mëdhenj, si Pablo Picasso apo Aleksander Calder.

FOTO GALERI
2/7

Top Channel