Nis kampionati. Rivalitet mes Kukësit, Skënderbeut e Partizanit

08/09/2017 00:00

Pas një pritjeje të gjatë, skuadrat e Kategorisë Superiore do të zbresin këtë fundjavë në fushë për të nisur sezonin 2017/2018.

Të githë presin që edhe këtë vit rivaliteti të jetë i madh me Kukësin, Skënderbeun dhe Partizanin që shihen si pretendentët kryesorë në luftën për titull, ndërkohë që priten me kuriozitet edhe skuadrat e ardhura nga Kategoria e Parë, Kamza dhe Lushnja, ndërkohë që mungesa e madhe është ajo e Tiranës.

Kukësi do të zbresë i pari në fushën e lojës, teksa këtë të shtunë në orën 16:00 do të luajë ndaj Kamzës. Është një ndeshje ku skuadra e drejtuar nga Milinkovic do të kërkojë të harrojë disfatën e pësuar në mesjavë në finalen e Superkupës së Shqipërisë, ndaj Tiranës. Po të shtunën do të luhet edhe sfida mes Skënderbeut dhe Flamurtarit, dy skuadra mes të cilave ka pasur rivalitet në vitet e fundit. Në të njëjtën ditë do të luhet edhe sfida mes Teutës dhe Luftëtarit. Skuadra durrsake, që sezonin e kaluar hasi jo pak vështirësi për të siguruar qëndrimin në Superiore, do të synojë të bëjë një tjetër paraqitje këtë vit.

Ditën e diel do të zhvillohen dy ndeshjet e tjera të javës së parë të Superiores. Spikat në këtë ditë përballja mes Partizanit dhe Laçit, me “Të Kuqtë” që kanë bërë shumë ndryshime gjatë kësaj vere, pasi në pankinë është një trajner i ri, Mark Iuliano, ndërkohë që janë bërë edhe disa blerje të reja.

Ndërsa sfida tjetër e së dielës është ajo mes Lushnjes dhe Vllaznisë që do të luhet në “Loni Papuçiu” të Fierit, pasi stadiumi “Roza Haxhiu” është ende në fazën e rikonstruksionit dhe pritet të jetë gati në muajin tetor.

Top Channel