
Në prag të fillimit të Superiores nuk ka munguar si përvit, edhe këtë vit mesazhi i presidentit të futbollit shqiptar, Armand Duka.
“Uroj që fillimi i këtij sezoni të jetë i mbarë. Uroj që të kemi një sezon futbollistik me sa më shumë garë. Uroj që të kemi sa më shumë ‘fair play’, sa më shumë spektatorë në shkallët e stadiumeve. Futbolli është një lojë, e kemi thënë një lojë e gabimeve dhe patjetër edhe e kritikave. Kritikat janë të shumta, aq më tepër që është një lojë që e dashurojnë të gjithë dhe e shohin të gjithë. Në njëfarë mënyre jam i kënaqur që janë bërë ekspertë të gjithë. Në këtë lloj ambienti, patjetër që do të ketë shumë kritika, që janë reale dhe njerëzit duhet të mbajnë shënime e t’i përmirësojnë ato, ka edhe kritika që nuk ekzistojnë, por gjithsesi janë pjesë e lojës”, thotë Duka në mesazhin e tij.
“Tani fillon një sezon futbollistik për gjithçka, pavarësisht se në vitrinën kryesore mund të jetë ekipi kombëtar apo garat e Kategorisë Superiore. Futboll në fakt luhet në çdo grupmoshë dhe në çdo cep të Shqipërisë, ndaj dhe ne jemi të interesuar që të shkojë mbarë e mirë gjithçka. Duhet të gjithë të edukohen sportivisht, fëmijët të merren me sport, e futboll konkretisht, e jo me gjëra të tjera të pavlera. Duhet të kemi aktivitete gjithkund, nëpër shkolla, nëpër kampionatet amatore, apo edhe në futbollin e sallës. Kjo është detyrë e të gjithë komunitetit të futbollit, ndaj uroj që të kemi edhe më shumë njerëz që luajnë futboll, përveçse të kemi edhe më shumë njerëz që do të shohin futboll këtë vit”, përfundoi mesazhin e tij Armand Duka, president i FSHF-së.
Top Channel