
Respektohen parashikimet për Grupet C dhe D të kampionatit Evropian të basketbollit për meshkuj; me Spanjën dhe Serbinë që janë fitueset respektive të tyre.
Skuadra kampione në fuqi e kontinentit dominoi edhe ndeshjen e saj të fundit në fazën e grupeve atë ndaj Hungarisë të cilën e fitoi me rezultatin 87-64. Njeriu i ndeshjes për iberikët ishte Pau Gasol që e mbylli atë me 20 pikë, një statistikë që i jep mundësinë 37 vjeçarit të shkruajë emrin në historinë e Eurobasketit.
Me paraqitjen ndaj Hungarisë, Gasol shkoi në kuotën e 1105 pikëve duke u bërë shënuesi më i mirë në historinë e Eurobasketit për të lënë pas Tony Parker dhe Dirk Nowitzkin. Në ndeshjet e tjera të Grupit C, Kroacia shkatërroi Çekinë në një ndeshje që nuk kishte asnjë lloj interesi me rezultatin 107-69, ndërsa Mali i zi mposhti Rumaninë 86-69 duke u renditur në vendin e tretë.
Në Grupin D, Serbia e pati të lehtë ndeshjen e saj të fundit të kësaj faze; atë me Belgjikën të cilën e mundi 74-54. Skuadra e drejtuar nga Sasha Djordjevic e dominoi ndeshjen dhe në fundin e periodës së tretë diferenca mes saj dhe Belgjikës ishte 20 pikë, 56-36 për ta kthyer në një formalitet 10 minutëshin e fundit të sfidës.
Boban Marjanovic ishte basketbollisti më i mirë për skuadrën ballkanase me 22 pikë, 7 topa në tabelë dhe 1 assist.
Në ndeshjet e tjera të Grupit D, Letonia ftoi me Turqinë 89-79 duke siguruar vendin e dytë, ndërsa Rusia mundi Britaninë me rezultatin 82-70 me skuadrën ruse që e u rendit në vendin e tretë edhe pse ka pësuar vetëm 1 humbje
Top Channel