
Për Arsene Wenger, rregulli i “Fair Play”-t financiar i vendosur me shumë bujë nga UEFA ka rezultuar një dështim i plotë.
E kjo, sipas tij, për shkak se nuk pati efektin e shumëpritur në merkaton e futbollit. Prej dy vitesh, Wenger ka shfaqur shqetësimin e tij për efektin e pakët të sanksioneve të UEFA-s ndaj atyre që kanë thyer këto rregulla, dhe faktet duket se po i japin të drejtë, mjaft të shohësh se çfarë bëri këtë verë Paris Saint Germain.
“Blerja e Neymar nga PSG ka bërë që të lindin sërish shumë pikëpyetje mbi ‘Fair Play’-n financiar”, tha Wenger. “Tani nuk jam shumë i bindur që mund ta mbajmë. Futbolli është ndoshta në fazën fillestare të një investimi të madh ekonomik, është bërë sporti me më shumë pushtet në botë dhe është e nevojshme që të pyesim veten, nëse do të na duhet të mbyllim disa dyer ndaj investimeve”, deklaroi më tej ai.
Wenger theksoi se me “Fair Play”-n financiar është krijuar një rregull që nuk mund të respektohet, e kjo sipas tij nuk sjell asgjë të mirë, pasi në raste të tilla asgjë nuk funksionon.
Top Channel