Facebook ka zbuluar një fushatë të fshehtë, të promovuar nga Rusia, për promovimin e mesazheve përçarëse shoqërore dhe politike, brenda rrjetit më të madh social të botës.

Plot 100 mijë dollarë janë shpenzuar për më shumë se 3.000 publicitete përgjatë një periudhe kohe dyvjeçare, që përfundoi majin e këtij viti.

Në pamje të parë, spotet nuk mbështesnin në mënyrë të veçantë ndonjë figurë politike, por përcillnin mesazhe që përfshinin tema të nxehta si emigracioni, raca apo të drejtat e njeriut. Ato u drejtoheshin përdoruesve përmes 470 profileve, ku shpërndaheshin informacione të rreme dhe përbënin një shkelje të hapur të rregullave e kushteve të kompanisë.

Edhe pse nuk e konfirmojnë dot në mënyrë të pavarur, drejtuesit e saj besojnë se profilet në fjalë janë krijuar nga e ashtuquajtura “Agjencia e kërkimit në internet”, një grup me qendër në Shën Pjetërburg, i njohur për bombardimin e rrjeteve sociale me mesazhe pro Kremlinit.

“Profilet abuzive janë mbyllur tashmë që të gjitha”, sqaroi Alex Stamos, personi përgjegjës për sigurinë e gjigantit të medieve sociale. Facebook po bashkëpunon për këtë çështje me Robert Mueller, prokurori që drejton hetimin mbi ndërhyrjet ruse gjatë zgjedhjeve presidenciale të vitit 2016 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Top Channel