Rusia, kundër sanskioneve. Putin: Koreanët hanë edhe bar…

05/09/2017 00:00

Vendosja e sanksioneve të mëtejshme ndaj Koresë së Veriut është krejtësisht e padobishme, sipas presidentit rus Vladimir Putin.

“Ata më mirë hanë bar, sesa të heqin dorë nga ambiciet e tyre bërthamore”, deklaroi shefi i Kremlinit në kohën kur Uashingoni përgatitet të paraqesë në OKB, një rezolutë të re me masa ndëshkuese edhe më të ashpra sesa deri më tani ndaj vendit komunist.

“Sanksionet e çdo lloji do të ishin të kota dhe jo të efektshme. Ata nuk do ta braktisin programin bërthamor deri në momentin që do të ndihen të sigurtë. Po çfarë mund ta ofrojë këtë siguri? Rivendosja e ligjit ndërkombëtar. Ne duhet të promovojmë dialogun mes të gjitha palëve të interesuara në këtë çështje”, tha Putin.

Edhe pse e dënon me forcë testin e fundit të Penianit, Putin, duke cituar aspektin humanitar thotë se pasojat e masave më të rrepta do t’i vuanin miliona njerëz. “Sanksionet janë shterruar tashmë si mundësi”, argumenton kreu i shtetit rus.

Muajin e kaluar, Këshilli i Sigurimit votoi unanimisht për ndalimin e eksporteve koreano-veriore dhe kufizimin e investimeve në vend. Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në OKB, Nikki Haley tha më herët se Kim Jong-un praktikisht po lutet për luftë, por ndërsa përmendi sanksionet shtesë nuk sqaroi se ku do të konsistojnë ato.

Ekspertët mendojnë se një embargo nafte do të kishte efekt paralizues në ekonominë koreano-veriore, e mund të vendoset gjithashtu bllokimi i kompanisë ajrore kombëtare, reduktimi i mundësisë së punësimit të koreano-veriorëve jashtë kufijve, si dhe ngrirja e aseteve e ndalimudhëtimi për zyrtarët e lartë të vendit.

Top Channel