Putin s’përjashton reduktimin e diplomatëve të SHBA në Moskë

05/09/2017 00:00

Vladimir Putin nuk përjashton mundësinë e reduktimit të mëtejshëm të misionit diplomatik të Shteteve të Bashkuara në Moskë.

Duke folur nga Kina, ku ndodhet për të marrë pjesë në punimet e një forumi ekonomik, shefi i Kremlinit e cilësoi “të vrazhdë dhe brutal” trajtimin që Uashingtoni po i bën misionit diplomatik të Rusisë në tokën amerikane.

Reagimi i tij mbërrin pas vendimit të Shteteve të Bashkuara që i kërkoi Rusisë mbylljen e Konsullatës në San Fancisko dhe disa misioneve zyra të tjera në vend.

“Rezervojmë të drejtë për të vendosur mbi numrin e diplomatëve amerikanë në Moskë, por për momentin nuk do ta bëjmë. Le të presim dhe të shohim sesi do të rrjedhin ngjarjet”, deklaroi ai.

Aktualisht, në Moskë veprojnë 455 diplomatë amerikanë, numër i reduktuar me 60 përqind pas kërkesës së autoriteteve ruse.

Top Channel