Olimpiada e Rios “u ble”. Bastisje nga policia në Brazil

05/09/2017 00:00

Policia braziliane po zhvillon një superoperacion, në vazhdën e të cilit janë kontrolluar shumë shtëpi, pasi hetuesit pretendojnë se kanë prova shumë të forta për blerje votash në kandidaturën olimpike të vitit 2016.

Kontrollet janë pjesë e një hetimi që vazhdon prej kohësh, e që po shqyrton një skemë ndërkombëtare korrupsioni. Sipas medieve braziliane, hetimi ka të bëjë me korruptimin e zyrtarëve të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar.

Mes shtëpive të kontrolluara nga policia në Brazil është edhe ajo Carlos Arthur Nuzman, presidenti i Komitetit Olimpik brazilian, i cili e kryen këtë detyrë që prej vitit 1995.

Gjithnjë sipas medieve, për shkak se hetuesit deri tani janë treguar shumë gojëkyçur, Nuzman akuzohet se ishte ndërmjetës në blerjen e votave të delegatëve afrikanë të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, ndërsa afrohej votimi se kujt vendi do t’i jepej e drejta e organizimit të Lojërave Olimpike 2016.

Autoritetet olimpike në Brazil nuk i komentuan operacionet e policisë, e cila, e shoqëruar edhe nga disa hetues francezë, pas kontrolleve në Rio publikoi edhe dy mandatarreste. Policia franceze heton prej kohësh votimin për Lojërat e 2016-s dhe 2020-s, e duket se provat – që sipas hetuesve janë të forta, – kanë bërë që edhe pala braziliane t’u bashkohet këtyre përpjekjeve.

Top Channel